Connect with us

Ekskluzive

Telefonët inteligjentë po dëmtojnë shëndetin mendor

Telefonët inteligjentë po dëmtojnë shëndetin mendor

Rreth vitit 2012, në jetën e adoleshentëve diçka nisi të shkojë keq. Në vetëm pesë vjet, mes 2010 dhe 2015, numri i adoleshentëve amerikanë të cilët ndiheshin të padobishëm dhe jo të lumtur – simptomat klasike të depresionit – arriti në 33% – sipas një studimi kombëtar në shkallë të gjerë. Tentativat për vetëvrasje tek adoleshentët u rritën me 23%. Edhe më shqetësuese është se numri i vetëvrasjeve mes të rinjve të moshave 13-18 vjeç arriti në 33%.

Në një artikull të ri të publikuar në Clinical Psychological Science, studiuesit arritën në përfundimin se rritja rasteve me depresion dhe përpjekjet për të vrarë veten dhe vetëvrasjet ishin të pranishme tek adoleshentët e të gjitha shtresave – nga ata më të privilegjuar tek ata më pak të privilegjuar, tek të gjitha racat dhe etnitë në çdo vend të botës. Si përfundim, gjenerata e adoleshentëve të sotëm (studiuesit i quajnë “iGen” – ata që kanë lindur pas vitit 1995) është më e predispozuar të shfaqë probleme që lidhen me shëndetin mendor në krahasim me të rinjtë e së njëjtës moshë të mijëvjeçarëve të mëparshëm.

Çfarë ka ndodhur që gjithnjë e më shumë adoleshentë, në një periudhë kaq të shkurtër kohe – janë në depresion, tentojnë t’i japin fund jetës dhe vetëvriten? Pas zhvillimit të disa studimeve në shkallë të gjerë tek adoleshentët, të gjitha të dhënat të çonin tek një ndryshim i madh në jetën e adoleshentëve: rritja e përdorimit të smartphone-ve.

Të gjitha shenjat i referohen smartphone

Për faktin se vitet 2010 – 2015 u karakterizuan nga rritja ekonomike e qëndrueshme dhe rënia e papunësisë, është e pamundur që gjendja e keqe ekonomike të jetë një faktor. Pabarazia e pagave ishte (dhe vazhdon të jetë) një problem, por nuk u shfaq papritur në fillim të vitit 2010 – hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është në rritje prej dekadash. Po ashtu u zbulua se koha e kaluar nga të rinjtë për të kryer detyrat e shkollës nuk ka ndryshuar shumë nga 2010 deri në 2015, duke e përjashtuar këtë nga shkaqet e depresionit.
Megjithatë, sipas Pew Research Center, numri i adoleshentëve që zotëronin një smartphone e kaloi shifrën e 50% në fund të vitit 2012, pikërisht atëherë kur nisi të rritej numri i adoleshentëve me depresion dhe ai i vetëvrasjeve. Në vitin 2015, 73% e adoleshentëve kishin mundësi të përdornin një smartphone.

Jo vetëm numri i rasteve me depresion dhe ai i vetëvrasjeve u rritën, por koha e shpenzuar online është e lidhur me problemet në shëndetin mendor në dy tipologji të ndryshme. Studiuesit gjetën se adoleshentët që kalonin pesë ose më shumë orë në ditë online ishin 71% më të predispozuar se sa ata që shpenzonin vetëm një orë, për t’u prekur të paktën nga një faktor i rrezikut të vetëvrasjes (depresion, mendimi rreth vetëvrasjes, bërja e një plani për vetëvrasje apo tentativa për t’i dhënë fund jetës). Në përgjithësi, faktorët e rrezikut të vetëvrasjes rriten në mënyrë të ndjeshme pas shpenzimit të dy ose më shumë orë në ditë online.
Sigurisht është e mundur që jo vetëm koha e kaluar në internet (online) të çojë në depresion, por edhe depresioni vetë të çojë në një numër më të madh orësh online. Por tre studime të tjera tregojnë se kjo është vështirë të ndodhë (të paktën nëse shihet nga përdorimi i rrjeteve sociale).

Dy studime gjetën se përdorimi për një kohë të gjatë i rrjeteve sociale ju bën të palumtur, ndërsa të mos qenët i lumtur nuk shkakton përdorimin për një kohë të gjatë të rrjeteve sociale.
Në një rast të tretë, pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: një grupi iu kërkua të hiqnin dorë nga Facebook-u për një javë, ndërsa grupit tjetër të vazhdonin përdorimin e tij normalisht.
Ata që shmangën përdorimin e Facebook-ut thanë se ndiheshin më pak të depresionuar në fund të javës.
Argumenti se depresioni mund t’i bëjë njerëzit të kalojnë më shumë kohë online nuk e shpjegon faktin se pse depresioni u rrit kaq papritur pas vitit 2012. Sipas këtij skenari, shumë adoleshentë filluan të preken nga depresioni për arsye jo të qarta dhe më pas filluan të blejnë smartphone, nuk duket shumë logjik.

Çfarë humbim kur nuk jemi online

Edhe pse koha online nuk e dëmton direkt shëndetin mendor, megjithatë mund të ndikojë negativisht në mënyra indirekte, veçanërisht nëse qëndrimi online u merr kohë aktiviteteve të tjera.
Gjatë studimit u gjet se adoleshentët kalonin shumë më pak kohë me miq ballë për ballë. Ndërveprimi me njerëzit ballë për ballë është burim për lumturinë – pa të, gjendja shpirtërore përkeqësohet dhe shpesh pasohet me depresion. Izolimi social është një nga faktorët kryesorë për rrezikun e vetëvrasjes. Studimi gjeti se adoleshentët që kalonin më shumë kohë se mesatarja online dhe më pak kohë se mesatarja me miq kishin më shumë gjasa të binin në depresion. Nga viti 2012, kjo gjë ka ndodhur në masë: adoleshentët u kanë kushtuar më pak kohë aktiviteteve që ndikojnë në mirëqenien mendore (ndërveprim ballë për ballë) dhe më shumë kohë aktiviteteve online.

Sot gjithashtu adoleshentët po flenë më pak dhe adoleshentët që shpenzojnë më shumë kohë me telefonat e tyre kanë më shumë gjasa të mos flenë mjaftueshëm. Më pak orë gjumi çojnë në një rrezik më të madh ndaj depresionit, pra nëse smartphone shkaktojnë më pak orë gjumi, kjo mund të shpjegojë se pse depresioni dhe vetëvrasjet janë rritur papritur.
Depresioni dhe vetëvrasjet kanë shumë shkaqe – predispozita gjenetike, mjedisi familjar, bullizmi dhe trauma mund të kenë një rol. Disa adoleshentë do të kenë probleme me shëndetin pavarësisht kohës se kur jetojnë.

Mund të thuhet se është shumë shpejt për të këshilluar më pak kohë para ekranit, duke qenë se studimi nuk ka përfunduar. Megjithatë reduktimi i kohës para ekranit – për shembull në dy orë në ditë ose më pak – është minimal. Në anën tjetër – rreziku i të mos bërit asgjë, duke parë pasojat si depresioni dhe vetëvrasja – është i madh. Nuk është shumë shpejt për të menduar për reduktimin e kohës para ekraneve (online) – le të shpresojmë që nuk është shumë vonë. /Monitor

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive

Ja tarifa që u pagua për transferimin e 1.1 miliardë dollarëve në Bitcoin

Ja tarifa që u pagua për transferimin e 1.1 miliardë dollarëve në Bitcoin

Një balenë kritpografike zhvendosi 1.1 miliardë dollarë në Bitcoin duke paguar një tarifë transaksioni prej vetëm 83 dollarësh.

Transaksioni i cili u realizua më 14 Janar shikoi 124,946 bitcoin të zhvendosen për një tarifë prej 0.0096 për bitcoin.

Edhe pse arsyet e kësaj transferte nuk dihen, një përdorues i Reddit pretendon se erdhi nga një portofol i ftohtë në Bitfinex. Andaj mund të jetë thjeshtë një shkëmbim ose rialokim i parave.

Nuk është hera e parë që transaksione të kësaj magnitude realizohen. Në Shtator u raportuar se një tjetër balenë zhvendosi 94,504 bitcoin duke paguar 700 dollarë. atë kohë kjo sasi bitcoin kalonte 1 miliardë dollarët.

Pavarësisht se kriptomonedha është ende larg adoptimit në masë, transaksione të tilla vetëm nxjerrin në pah një prej aspekteve më pozitive dhe pikave më të forta të kriptomonedhave, diçka e cila nuk ka për tu pranuar kurrë nga bankat. /PCWorld Albanian

Continue Reading

Ekskluzive

Çfarë është politika e re e privatësisë së Google dhe pse është e rëndësishme?

Çfarë është politika e re e privatësisë së Google dhe pse është e rëndësishme?

Google tha se së shpejti do të implementojë disa standarde të reja privatësie të cilat do të kufizojnë përdorimin nga palët e treta të një mjeti dixhital të njohur si “cookie.”

Këto mjete përdoren për të gjurmuar aktivitetin në internet të përdoruesve duke ndihmuar publikuesit të shënjestrojë audienca të caktuara me reklama.

Firmat teknologjike janë përballur me presione kohët e fundit pas thyerjeve të ndryshme të sigurisë. Por analistët besojnë se lëvizja e fundit i jep Google më shumë kontroll mbi tregun e reklamave ku aktualisht është një lojtar madhor.

Alphabet, kompania mëmë e Google, shumicën e të ardhurave i gjeneron nga reklamimi. Për ta bërë reklamimin më të personalizuar, shfletuesit grumbullojnë sasi të vogla informacioni me të cilat mund të krijojnë profile të pëlqimeve dhe sjelljeve online të përdoruesit.

Çfarë janë “Cookie-t”?

Cookie-t janë mjete dixhitale nëpërmjet të cilave gjurmohet aktiviteti në internet i përdoruesit. Kjo pjesëz e vogël të dhënash ruhet nga shfletuesit si Google Chrome dhe Apple Safari ndërsa përdoruesit shfletojnë në ueb.

Ata regjistrojnë informacione si uebsajtet që kemi vizituar, gjërat që i kemi ruajtur në një shportë blerjesh online apo informacione të vendosur nëpër formularë të ndryshëm online si emra dhe fjalëkalime.

Kompanitë përdorin këto të dhëna për të mësuar më shumë rreth përdoruesve në internet. Publikuesit e uebit i përdorin për të mësuar çfarë reklamash duhet ti dërgojnë një personi të caktuar.

Politika e re e njohur si “sandbox-i i privatësisë” do të thotë se palët e treta që shesin reklama duhet të kërkojnë informacionin përmes Google rreth përdoruesve dhe audiencave që synojnë të shënjestrojnë.

Por kritikët thonë se ky është një avantazh për Google dhe e bën tregun më pak të konkurrueshëm dhe më pak të sigurtë.

Apple ndërmori hapa për të kufizuar aksesin e Cookie-ve dhe rritur privatësinë në 2017-ën me bllokues inteligjentë gjurmimi përdorur nga shfletuesi Safari.

Menjëherë pas lajmit vlera e aksioneve të kompanive të kësaj industrie ra. Google tha se politika e re do të implementohet në dy vitet e ardhshme ndërsa ky plan është bërë i ditur që prej Gushtit 2019.

Cookie-t janë përdorur nga shfletuesit prej mëse dy dekadash por sulmet e fundit të sigurisë kanë shtuar shqetësimet rreth sasisë së të dhënave që këto mjete dixhitale grumbullojnë. /PCWorld Albanian

Continue Reading

Ekskluzive

Në 2019-ën u shpenzuan 120 miliardë dollarë në aplikacione e lojëra

Në 2019-ën u shpenzuan 120 miliardë dollarë në aplikacione e lojëra

Industria e aplikacioneve mobile gjeneroi mbi 100 miliardë dollarë të ardhura në 2020, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 86 miliardë dollarë në 2019-ën sipas App Annie.

Këto statistika App Annie i publikoi si pjesë e raportit State of Mobile 2020 i cili tregon impaktin e mobilitetit në ekonominë globale.

Bazuar në të dhënat e tij, mësuam se lojërat gjenerojnë 72% të shpenzimeve në dyqanet e aplikacioneve. Shpenzimet e lojërave mobile ishin 2.4 herë më të larta sesa ato në lojërat për PC dhe Mac dhe 2.9 herë sesa në konsola.

Shkarkimet globale ishin 204 miliardë në 2019-ën, 45% më shumë sesa tre vite më parë dhe 6% krahasuar me 2018. Në total u shpenzuan 120 miliardë dollarë në 2019-ën ku mesatarisht çdo përdorues kaloi 3.7 orë në ditë në pajisje mobile. Deri më 2023, App Annie tha se industria mobile do të kontribuojë 4.8 trilionë dollarë në GDP globale.

App Annie vuri theksin tek kompanitë si Uber dhe Alibaba të cilat janë të fokusuara vetëm në pajisjet mobile dhe patën një IPO deri në 6.5 herë më shumë sesa kompanitë pa fokusin në pajisjet mobile.

Reklamuesit pritet që në 2020 të hedhin 240 miliardë dollarë të ardhura, 26% më shumës esa në 2019. Së fundi abonimet përbënin 95% të të ardhurave. /PCWorld Albanian

Continue Reading

Trending